LAJME

Aktakuzë ndaj dy personave për fajde dhe detyrim në Prizren, kërkoheshin deri në 550 mijë euro borxh

Aktakuzë ndaj dy personave për fajde dhe detyrim në Prizren, kërkoheshin deri në 550 mijë euro borxh
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Nëntor 2026, 16:10

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.K. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, ndërsa së bashku me të pandehurin A.K. akuzohet edhe për veprën penale “Fajdeja”, të kryer në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, nga viti 2021 e në vazhdim, E.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., i kishte dhënë këtij të fundit shuma të ndryshme parash, duke kontraktuar përfitime dukshëm joproporcionale. Si rezultat i kësaj skeme fajdeje, vetëm në emër të kamatave, viktima dyshohet se ka paguar mbi 400 mijë euro.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, i pandehuri E.K., me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, përmes kanosjeve serioze dhe presionit, e kishte detyruar viktimën të paguante kamatat dhe të mos e denonconte rastin në polici. Ai dyshohet se e kishte kanosur me vrasjen e tij dhe të anëtarëve të familjes, duke i shkaktuar viktimës dëm pasuror, frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe të familjarëve.

Në pamundësi për ta përballuar dhe shlyer borxhin, në këtë marrëdhënie ishte përfshirë edhe viktima e dytë, B.B., i cili kishte marrë para nga të pandehurit për ta ndihmuar viktimën e parë në shlyerjen e borxhit.

Megjithatë, siç thuhet në aktakuzë, për shkak të grumbullimit të kamatave, të pandehurit E.K. dhe A.K. i kishin kërkuar viktimës shumën prej 550 mijë eurosh. Gjatë bisedave, njëri nga të pandehurit i kishte kërkuar 450 mijë euro, duke i propozuar që, në emër të kamatave, t’ia kalonte në pronësi lokalet afariste dhe shtëpinë, me vlerë rreth një milion euro.

Sipas Prokurorisë, më 11 mars 2026, të pandehurit, së bashku me viktimën dhe nënën e tij, kishin shkuar fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat dhe më pas planifikohej të vazhdonin me procedurat noteriale për kalimin e pronës. Mirëpo, si rezultat i zbatimit të masave të veçanta hetimore, policia kishte ndërhyrë dhe i kishte arrestuar të dyshuarit.

Lidhur me të njëjtin rast, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për veprën penale “Pastrimi i parave”. Gjithashtu, ka ngrirë disa patundshmëri dhe ka propozuar konfiskimin e parave të gatshme, dy automjeteve, akteve të ndryshme noteriale dhe provave të tjera materiale që ndërlidhen me veprat penale të dyshuara.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika