LAJME

Mbi 31 mijë vaksina kundër gripit sezonal, IKShPK u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen

Mbi 31 mijë vaksina kundër gripit sezonal, IKShPK u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Nëntor 2026, 15:00

Mbi 31 mijë vaksina kundër gripit sezonal janë dhënë që nga 21.10.2026 e deri më 06.11.2026.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se kjo shifër tregon vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit në mbrojtjen e shëndetit individual dhe kolektiv.

IKShPK u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht personave që bëjnë pjesë në grupet me rrezik të lartë për zhvillimin e komplikimeve nga gripi, që të vaksinohen me kohë.

Vaksinimi rekomandohet veçanërisht për personat mbi moshën 65-vjeçare,  personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar, punëtoret shëndetësorë dhe personat që për shkak të profesionit apo rrethanave të tjera, janë më të ekspozuar ndaj infeksioneve respiratore.

Vaksina kundër gripit sezonal është masa më e rëndësishme parandaluese për uljen e rrezikut nga gripi dhe komplikimet e tij.

Ajo ndihmon në mbrojtjen e personit të vaksinuar, si dhe në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet.

IKShPK thekson se meqenëse aktiviteti i gripit sezonal pritet të rritet gjatë muajve të ardhshëm, vaksinimi me kohë është veçanërisht i rëndësishëm.

Mbrojtja zhvillohet rreth dy javësh pas vaksinimit.

IKShPK rikujton se vaksinimi mund të realizohet në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor (QKMF, QMF dhe AMF) në komunat përkatëse.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika