Tre të arrestuar nën dyshime për marrje ryshfeti dhe mbi 11 mijë euro të sekuestruara është bilanci i aksionit që Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e zhvilloi sot, më 20.01.2025, në rajonin e Gjakovës.
Sipas Policisë, tre të dyshuarit në periudha të ndryshme kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarët e bizneseve të ndryshme. Andaj, me këto veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale “marrja e ryshfetit’’ – Neni 421 i KPRK-së.
“Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ka ndërmarrë veprime hetimore – duke zbatuar edhe masa të avancuara hetimore, gjatë së cilave janë siguruar dëshmi se tre të dyshuarit meshkuj kosovarë, me qëllim të përfitimit pasuror për vete apo personin tjetër, dyshohet se kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme parash, në disa raste të ndara. Si dhe, të mira materiale të ndryshme, pa pagesë nga pronarët e bizneseve të ndryshme në Komunën e Gjakovës.” – njoftoi Policia përmes një komunikate për media.





