Rreth 60 kilogramë substancë narkotike janë sekuestruar dhe arrestuar 4 persona të dyshuar në aksionin e Prokurorisë, Policisë së Kosovës në bashkëpunim edhe me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.
Aksioni është zhvilluar në Prishtinë dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajt.
Lidhur me këtë rast janë arrestuar katër (4) persona të dyshuar, prej të cilëve një (1) shtetas i Republikës së Kosovës, dy (2) shtetas të Republikës së Serbisë dhe një (1) shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për shkak se të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, nga neni 267 par.3 lidhur me nenin 275 par. 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar: Rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, dy vetura, dhe një kamion”, thuhet në komunikatë.





