Gjatë kësaj jave në Mjekësinë Sportive ka një rënie të lehtë të pacientëve që kërkojnë hospitalizim, mirëpo edhe në këtë klinikë COVID, trajtim kanë kërkuar pacientë me moshë të re por që kanë pasur gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e infektimit me variantin britanik.
Përgjegjësi i Mjekësisë Sportive, Artan Ahmeti për KosovaPress, ka deklaruar se aktualisht në këtë klinikë janë të shtrirë 63 pacientë dhe shumica prej tyre kanë maskë të thjeshtë të oksigjenit.
“Aktualisht në Mjekësi Sportive gjendja është më e qetë, pra kemi një numër pak më të vogël të pacientëve krahasuar me tri javët e kaluara. Aktualisht i kemi 63 pacientë të cilët shumica prej tyre janë me maskë të thjeshtë të oksigjenit….Mund të jenë edhe pa maskë fare sepse tek ne nuk disponojmë mjete tjera si CPAP apo respirator të gjithë pacientët tek ne marrin vetëm oksigjen të kyçur në burim qendror…Prej pacientëve që kemi pasur numrin rreth 90 që katër pesë ditë numri është aty rreth 65”, theksoi Ahmeti.
Ai thotë se kohëve të fundit kanë vërejtur se shpërndarja e COVID-19, tashmë po bëhen më shpejt dhe pacientët po manifestojnë simptoma më të rënda.





