Shoqata e Invalidëve të Luftës të UÇK-së, dega në Prizren, ka njoftuar anëtarët e saj lidhur me procedurat për përfitimin e bursave për fëmijët që vijojnë mësimin në shkollat e mesme.
Sipas njoftimit, të gjithë invalidët e luftës që kanë fëmijë në arsimin e mesëm duhet të paraqesin numrin e tyre në periudhën nga 17 prilli deri më 8 maj 2026. Ky proces është i nevojshëm për përfshirjen e përfituesve në skemën e bursave që ndahen çdo vit nga Komuna e Prizrenit.
Nga shoqata bëhet e ditur se dokumentet e nevojshme për aplikim janë: certifikata e lindjes së fëmijës, vërtetimi që ai/ajo është nxënës në shkollë të mesme (klasat X, XI, XII), kopja e kartelës së invalidit me afat të vlefshëm, si dhe konfirmimi bankar i prindit ku do të transferohen mjetet.





