Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas formimit të institucioneve të Kosovës kjo parti do të takohet me Vjosa Osmanin si pretendente për presidente, për të parë qëndrimet e saj karshi partive opozitare, dhe në veçanti për nismën e saj të paralajmëruar.
Ai ka thënë pas takimit me Kurtin dhe Osmanin se LDK-ja do të jetë “opozitë aktive dhe alternativë e re në skenën e ardhshme gjatë qeverisjes”.
“Kemi përfunduar takimet me LVV-në sepse pozicionet janë të qarta. LVV është në pozitë ne jemi ne opozitë ne do të jemi një opozitë aktive dhe do të jemi një alternativë e re në skenën politike gjatë qeverisjes. Këtu përfundojnë takimet me LVV-në. Jemi dakorduar që pas formimit të institucioneve të takohemi me pretendenten për presidente dhe të kuptojmë pozicionin e saj karshi LDK-së, VV-së, partive opozitare e në veçanti karshi nismës së saj”, ka thënë ai teksa ka njoftuar se takimi do të zhvillohet javën e ardhshme, pas formimit të Qeverisë Kurti 2.
Ai ka njoftuar se të shtunën do të formohet Kryesia e re e LDK-së dhe do të shpalosen detajet e takimit me Kurtin e Osmanit.
Në fund ai ka shtuar se “s’jemi të interesuar të shkaktojmë destabilizim politik”.