Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka emëruar Kryesinë e re të partisë, pas konsultimeve të brendshme dhe në përputhje me autorizimet e marra nga Kuvendi i LDK-së, i mbajtur më 31 janar.
Sipas njoftimit, përbërja reflekton “përvojën institucionale, energjinë e re; e mbi të gjitha përbashkimin e të gjitha niveleve si element thelbësor të forcimit tonë partiak”.
“Kryesia e re është në funksion të forcimit të organizimit të brendshëm, përfaqësimit të strukturave dhe rritjes së efikasitetit në vendimmarrje” – thuhet në njoftim.
Anëtarët e Kryesisë së re të LDK-së (sipas renditjes alfabetike): Alban Zogaj, Alush Gashi, Anton Quni, Arbër Ismajli, Ardian Shala, Arjeta Salihu Abazi, Armend Zemaj, Avdullah Hoti, Berat Rukiqi, Besian Mustafa, Bexhet Xheladini, Doarsa Kica Xhelili, Doruntinë Maloku, Ekrem Hyseni, Ermal Sadiku, Fadil Hadergjonaj, Festim Kabashi, Gazmend Muhaxheri, Hykmete Bajrami, Ilir Ferati, Izet Sadiku, Jehona Lushaku Sadriu, Kujtim Shala, Lutfi Haziri, Paris Guri, Ruzhdi Shehu, Shefqet Shehu, Shkëmb Manaj, Sibel Halimi, Sokol Haliti, Sokol Havolli, Ukë Rugova, Visar Azemi, Xhafer Gashi.
Në krahasim me përbërjen e kaluar, mungojnë: Arben Gashi, Besa Gaxherri, Besnik Osmani, Driton Selmanaj, Elmire Nikçi Rexha, Florian Dushi, Imri Ahmeti, Lirije Kajtazi, Mirjeta Kalludra, Muhamet Hamiti, Rrezarta Krasniqi, Sokol Haliti, Visar Berisha, Vlora Dumoshi, Xhafer Tahiri.
Sipas njoftimit përbërja e re vjen si rezultat i organizimit të ri, për “konsolidimin e strukturave dhe fuqizimin e lidhjes ndërmjet qendrës dhe degëve”.
“Kryesia e re do të ketë përgjegjësi të plotë për drejtimin politik dhe organizativ të partisë, në përputhje me programin tonë dhe objektivat përpara. Kjo përbërje vjen edhe si rezultat i një faze të ndërmjetme organizative, në zbatim të platformës së miratuar nga Kuvendi, e cila parasheh konsolidimin e strukturave dhe fuqizimin e lidhjes ndërmjet qendrës dhe degëve. Në këtë periudhë kalimtare, Kryesia ndërtohet me përfaqësim më të drejtpërdrejtë të drejtuesve të degëve, si bartës të legjitimitetit nga baza, ndërsa standardet e reja organizative do të zbatohen plotësisht në ciklin e ardhshëm të ristrukturimit. Në ditët ne vijim, pas konsultimeve shtesë, Kryesia do të plotësohet me përfaqësues nga degët e mëdha të papërfaqësuara në këtë përbërje. Në këtë fazë të rëndësishme politike, LDK mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të brendshëm, përfaqësimit të gjerë dhe ndërtimit të një alternative serioze për qytetarët e Republikës” – thuhet në njoftim.
LDK-ja ka thënë se së shpejti do të plotësojë Kryesinë me përfaqësues të degëve të mëdha të papërfaqësuara dhe do të propozojë së shpejti edhe Trupën Këshilldhënëse, si pjesë të organizimit të brendshëm.