Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur Qeverinë Kurti si qeveria më dembele në Evropë, për shkak se gjatë vikendit ka mbyllur qendrat e vaksinimit. Përmes Facebookut, Abdixhiku ka kritikuar procesin e vaksinimit, duke thënë se qendrat janë të pamjaftueshme, edhe sikur të hapeshin në tërësi.
“As tre turne s’bëjnë punë në kulm të shpërthimit masiv. Në vend të një administrimi kolektiv, gjithënacional, që përfundon në pak ditë, Qeveria jonë zgjedhë pushim. Mbesim të fundit në Evropë në administrim; të parët për infektime për kokë banori në ditë. Një vend kaq i vogël, vazhdon t’i ketë 80% e popullsisë të pavaksinuar”, ka shkruar Abdixhiku.





