Pezullimi i liberalizimit të vizave për Kosovën – që është përmendur si mundësi, pas tensioneve në veri të vendit – nuk është opsion. Gjermania konfirmon për Gazetën Sinjali se kosovarët do të mund të udhëtojnë lirshëm nga 1 janari i vitit 2024.
Bashkimi Evropian në fillim të korrikut ka marrë disa masa ndaj Kosovës për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.
Disa nga masat e BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat e tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).
Nga BE-ja publikisht për këto masa ishte paralajmëruar më 27 qershor.
A përfshihen edhe vizat në masat e BE-së ndaj Kosovës?
Lëvizja e lirë e kosovarëve nga 1 janari i vitit 2024 nuk do të “preket” nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Kjo i bie, se qytetarët që kanë mundësi të udhëtojnë – shlirë mund të blejnë biletat dhe të fluturojnë pas datës 31 dhjetor – për ndonjë destinacion evropian.
Kështu së paku ka konfirmuar për Gazetën Sinjali ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
“Për liberalizimin e vizave, Këshilli dhe Parlamenti Evropian kanë marrë vendim: Qytetarëve të Kosovës do t’u lejohet të udhëtojnë në BE/zonën Shengen pa kërkuar vizë, për periudha deri në 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore”.
“Pas hyrjes në fuqi të ligjit, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të ketë të njëjtin kuadër vizash për qëndrimet e përkohshme në zonën Shengen. Përjashtimi i vizave do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024”, thotë ambasada e Gjermanisë në Kosovë për Gazetën Sinjali.
Kjo çështje u bë temë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në fund të gushtit se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo i pati bërë këto deklarata, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili tha më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.
“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës”.
“Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, pati thënë Osmani.
Ndryshe, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është miratuar nga BE-ja më herët gjatë këtij viti.
Vendimi është zyrtar dhe përfundimtar, i botuar në Gazetën Zyrtare, dhe pritet të hyjë në fuqi prej 1 janarit të vitit 2024.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon lëvizjen e lirë në vendet e Zonës Schengen.