Me datën 6 mars të këtij viti, kanë filluar punimet për realizimin e projektit për rehabilitimin dhe revitalizimin e Sheshit “Shatërvan”,mega projekt ky i quajtuar gjatë inaugurimit të punimeve nga drejtuesit e komunës së Prizrenit. Punimet në këtë projekt është duke i zhvilluar kompania “G-project”. Inxhinieri i kësaj kompanie, Bledar Besimi, njofton se që nga fillimi i punimeve është bërë intervenimi në sistemin e kanalizimit atmosferik dhe atij fekal, ndërsa KRU “ Hidroregjioni jugor” pritet të bëjë rehabilitimin e ujësjellësit në këtë zonë, kurse kabllot elektrike dhe ato të operatorëve kabllovik do të vendosen nën tokë, njoftoi ai.
Edin Gështenja nga OJQ “ Ec Ma Ndryshe”, këtë projekt e ka vlerësuar si të domosdoshëm, por që gjatë punimeve duhet të ketë kujdes të shtuar, pasi kjo zonë mbrohet me ligj të veçantë për të ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore, përfshirë në radhë të parë kalldrëmin e veçantë, tha ai. E saj përket kësaj të fundit, inxhinieri Besimi, thotë se kalldrëmi i larguar aktualisht nga Shatërvani po konservohet, dhe se është deponuar në një vend të caktuar nga organet mbikqyrëse kompetente, dhe i njëjti pasi të pastrohet nga zhavori do të rivendoset në vendin ku ka qenë.
Ndërsa, hapësirat me kalldrëm të dëmtuar do të zëvëndësohen me kalldrëm autentik por me përbërje nga graniti që i përshtatet atij ekzistues, njoftoi ai. Ndërkaq, Ilir Shala, kryetar i shoqatës së gastronomëve në Sheshin Shatërvan, tha se bizneset janë të vetëdijshme për pengesat e natyrshme që shfaqen gjatë realizimit të këtij projekti, por ai kërkon vetëm që të respektohet plani dinamik për realizimin e projekti dhe të zhvillohen punime cilësore. Lidhur me këtë temë, ne kemi kontaktuar edhe zyrtarë të QRTK-së në Prizren, të cilët nuk kanë dashur të prononcohen, vetëm se kanë thënë se punimet në këtë projekt janë duke u monitoruar nga ekspertë të trashëgimisë kulturore.
Ndryshe, kostoja e këtij projekti ndër më të mëdhenjtë të qeverisë Totaj, kap vlerën e 3 milionë eurove dhe dinamika e punimeve pritet të realizohet brenda një afati rreth 3 vjeçar.