2459 raste të reja me koronavirus dhe 5 vdekje janë shënuar vetëm në tri ditët e fundit në Kosovë.
Më 10 gusht u paraqitën 562 raste, më 11 – 888 dhe sot më 12 gusht, 1009.
Të gjitha këto të dhëna i ka bërë të ditura Ministria e Shëndetësisë, përmes një platforme online.
Situatën epidemiologjike në vend po e konsideron shqetësuese infektologu, Hamdi Ramadani.
“Situata epidemiologjike është jo e mirë. Është e keqe. Kemi numër të madh të personave që nuk e kanë marrë vaksinën. Në qoftëse presim deri kur bëhet vaksinimi situata do të përshkallëzohet”, theksoi Ramadani për “Front Online”.
Që lakorja e rasteve të mos ngritet tutje, Ramadani, thotë se Qeveria duhet t`i kthejë masat paraprake anti-pandemike.
“Të rishikohen masat për kufizimin e pandemisë, maska gjithsesi të përdoret, distanca 1-2 metra. Duhet me ndryshu situatën, mos të na rriten rastet, ku kemi mjaft numër të të infektuarve e po ashtu edhe raste me të vdekur”, deklaroi infektologu Ramadani.
Ajo që bie në sy është se nga virusi tash po prekën më shumë personat e rinj në moshë, ndryshe prej fillimit kur i njëjti “sulmonte” të moshuarit.
Ramadani këtë e lidh me aktivitetin ditor që moshat nga 20 deri në 40 e zhvillojnë.
“Janë ato moshat që punojnë, dalin, si kenë pa qef si me qef, thuajse çdo ditë. Kështu e përhapin virusin”, vlerësoi ai për “Front Online”.
Opozita akuzon Qeverinë për menaxhimin me pandeminë, kërkon kthimin e masave
Për pandeminë u diskutua sot edhe në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas rritjes së rasteve me COVID-19 ka kërkuar një angazhim më të madh të institucioneve për përballje me virusin.
Ai ka thënë se javën tjetër Qeveria duhet të rikthejë në fuqi masat anti-pandemike.
“Nëse nuk kemi angazhim të Qeverisë, edhe në muajt e ardhshëm do të jemi vendi me më së paku të vaksinuar. I bëj thirrje ministrit Vitia dhe Qeverisë që të kenë një angazhim më të madh. Java tjetër të jetë me masa shtesë”, tha Tahiri.
Kërkesë për ekzekutivin pati edhe AAK-ja.
Shefi i grupit parlamentar të saj, Besnik Tahiri, ftoi qeverinë që me urgjencë t’i merr veprimet e vaksinimit në masë dhe të fuqizimit të qendrave të mjekësisë familjare në të gjitha komunat e Kosovës.
“E ftojmë qeverinë që me urgjencë t’i merr veprimet e vaksinimit në masë dhe të fuqizimit të qendrave të mjekësisë familjare në gjitha komunat, të gjitha qendrat ku ndodh vaksinimi, që të ndodhë sa më shpejt dhe sa më shumë”, deklaroi ai.