Në tre muajt e fundit, në Kosovë janë shpenzuar rreth 35 mijë euro për sponsorizim të reklamave me mesazhe kryesisht politike.
Rreth tre muaj më vonë, më 9 shkurt 2025, këta sponsorizues do të garojnë për ta marrë në dorë qeverisjen e vendit.
Në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, fituese kishte dalë Lëvizja Vetëvendosje. Por, partitë opozitare tashmë kanë filluar shpenzimet për ta ndryshuar rrjedhojën e zgjedhjeve të ardhshme.
Që nga 16 gushti, kur u shpall data e zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë dy partitë që kanë investuar më së shumti para në sponorizimin e reklamave në platformën Facebook.
Partitë dhe politikanët rrisin shpenzimet për reklama në Facebook
Nga 25 gushti e deri më 22 nëntor të 2024-tës, partitë politike dhe politikanët në Kosovë i rritën shpenzimet për reklama në Facebook. Më 16 gusht u vendos data e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Për të rritur transparencën, kompania pronare e Facebookut, Meta, publikon të gjitha të dhënat për reklamat e sponsorizuara në Facebook dhe Instagram. Edhe vetë partitë politike detyrohen t’i raportojnë këto shpenzime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Kur zgjedhen vetëm ato të sponsorizuara në Facebook në Kosovë, vërehet që LDK-ja lë pas çdo parti dhe politikan tjetër me shumën e shpenzuar deri më tani. Ndërkohë, partia në qeverisje, Lëvizja Vetëvendosje, nuk e ka nisur ende fushatën në Facebook.
Për 30 ditë, dhjetëra mijëra euro për reklama politike
Nga 24 tetori e deri më 22 nëntor të 2024-tës, partitë politike dhe politikanët në Kosovë shpenzuan rreth 25 mijë euro për të sponsorizuar reklama në Facebook.
Brenda javës, mijëra euro për reklama politike në Facebook
Nga 16 deri më 22 nëntor të 2024-tës, Lidhja Demokratike e Kosovës shpenzoi dukshëm më shumë para se partitë e tjera politike për të sponsorizuar reklama në Facebook.
Brenda një dite, politikanët shpenzojnë qindra euro në Facebook
Më 22 nëntor të 2024-tës, partia Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe liderët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) shpenzuan më së shumti para për të sponsorizuar reklama në Facebook.
Reklamimi në Facebook vjen me opsionin për të zgjedhur audienca specifike për secilin publikim.
Gjininë, moshën, rajonin… Partitë dhe politikanët kanë mundësinë të targetojnë audienca të ndryshme.
Por, pothuajse të gjithë deri më tani kanë preferuar të targetojnë të gjithë popullsinë në Kosovë me të drejtë vote, nga 18 vjeç e sipër.
I vetmi që e ka përdorur këtë opsion është Bedri Hamza, i cili në shumicën e reklamave të tij ka përjashtuar votuesit e rinj në Kosovë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet paraprake më 2021.
Bedri Hamza lë anash votuesit e rinj
Nga të gjithë politikanët, vetëm kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka shfrytëzuar opsionin e modifikimit të audiencës në reklamat e sponsorizuara në Facebook. Në shumicën e reklamave, ai ka zgjedhur të mos përfshijë audiencën nga 18 deri në 20 vjeç, edhe pse edhe ata kanë të drejtë vote.
Çfarë kanë sponsorizuar?
Nëpërmjet reklamave në Facebook, partitë dhe politikanët mund të arrijnë audiencë më të madhe për postimet e tyre, si dhe mund ta analizojnë performancën e fushatës së tyre online.
Nga partitë më të mëdha në Kosovë, Lidhja Demokratike është ajo që ka shpenzuar më së shumti para deri më tani për reklamat në Facebook.
Më së shumti para janë shpenzuar për shpërndarjen e videove të fushatës nëpër qytete të ndryshme: Prishtinë, Ferizaj, Podujevë, Fushë Kosovë, Obiliq…
Por, përveç tyre, në muajin e fundit ata kanë shpenzuar më së shumti para në dy reklama: njëra që tregon premtimet elektorale të LDK-së dhe tjetra që pasoi diskutimet në Kosovë lidhur me disa doracakë për mësimdhënës për edukatë seksuale.
Pas LDK-së, më së shumti para ka shpenzuar Partia Demokratike e Kosovës, edhe pse dukshëm më pak se LDK-ja.
Ngjashëm, edhe kjo parti ka shpenzuar më së shumti për të reklamuar vizitat nëpër qytetet e ndryshme të Kosovës.
Por, ajo ka dashur të shpërndajë edhe premtimin se, nëse fiton, gjatë qeverisjes së saj do të rriten pagat.
Në PDK, më shumë para kanë shpenzuar politikanë për të sponsorizuar reklama individuale sesa vetë partia.
Ngjashëm, edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë pjesëtarët e kësa j partie që kanë shpenzuar më shumë para për reklamim, raporton Radio Evropa e Lirë.