Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një kirurg dhe një anesteziolog në Gjilan, nën dyshimin se kanë kërkuar ryshfet.
Sipas Policisë, dyshohet se anesteziologu kishte kërkuar 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, ndërsa kirurgu dyshohet se mori 330 euro, por kërkoi edhe 200 shtesë. Hetuesit arritën të siguronin dëshmi gjatë dorëzimit të parave te njëri i dyshuar.
Ata janë ndaluar për 48 orë.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, pas kryerjes së veprimeve operative/hetimore, kanë arritur të sigurojnë dyshime të arsyeshme se i dyshuari me profesion doktor/anesteziolog, dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë njëqind euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, po ashtu dyshime të arsyeshme janë siguruar edhe për të dyshuarin e dytë me profesion doktor/kirurg, se lidhur me ndërhyrjen kishte marr treqind e tridhjetë euro, ndërsa kishte kërkuar edhe dyqind euro shtesë. Pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale (Marrja e ryshfetit), hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar. Nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim personat e dyshuar, ku me vendim të prokurorit të shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orësh”, thuhet nga Policia e Kosovës./koha.net/