Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka thënë se që nga fillimi i vitit shkollor në komunë janë infektuar 40 mësimdhënës me koronavirus, duke përfshirë këtu edhe drejtorët e shkollave e stafin teknik dhe 83 nxënës.Shala ka treguar se katër shkolla në komunën e Prishtinës kanë kaluar në skenarin C, pra mësim në distancë, për shkak të rasteve me koronavirus, ndërsa në disa raste ka kaluar klasa në skenarin C.“Është e vërtetë se në komunën e Prishtinës janë mbyllur katër shkolla për momentin për shkak të rasteve me koronavirus. Dy shkolla janë në qytet e dy në fshatëra.
Është shkolla e mesme e muzikës, pastaj shkolla “Xhemajl Mustafa”, si dhe nga një shkollë në Prapashicë e Bardhosh. Janë mbyllur për shkak të numrit të madh të infektuarve në shkollë. Në shkollën “Xhemajl Mustafa” ka 13 nxënës e katër mësimdhënës të infektuar. Për këtë arsye Instituti i Shëndetit Publik ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë që ta mbyllë shkollën, por e njëjta situatë është edhe në shkolla tjera. Është numri i madh i të infektuarve. Kemi në shkolla tjera raste të izoluara.





