Burri me inicialet K.H. nga një fshat i Vushtrrisë është gjetur fajtor nga Gjykata e Vushtrrisë për lëndimin trupor që ia ka shkaktuar gruas së tij H.H.K.H. u dënua nga kjo Gjykatë me 6 muaj burgim, dënim i cili u zëvendësua me 170 orë punë në dobi të përgjithshme, nga 2 orë punë në ditë.Sipas aktakuzës, më 5 prill të vitit të kaluar rreth orës 21:40 në fshatin D., i akuzuari K.H. kishte pasur grindje dhe mosmarrëveshje me gruan e tij.
Gjithnjë sipas aktakuzës arsye e grindjes ishte tradhtia e të akuzuarit ndaj gruas së tij tani të dëmtuar H.H.Aktakuza thotë se të nesërmën, më 6 prill, i akuzuari pa kurrfarë arsye kishte filluar ta godiste të dëmtuarën në kokë dhe trup. Ajo më pas e ka lajmëruar Policinë, pjesëtarët e të cilës e kanë dërguar në Spitalin e Vushtrrisë.Në seancën e datës 1 nëntor 2021, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë dhe ishte deklaruar fajtor.
E me pranimin e fajësisë së tij janë pajtuar prokurorja e rastit, Natasha Taniq, gjykatësi i rastit Ferki Xhaferi si dhe vetë e dëmtuara.
Gjykatësi i rastit në arsyetimin e këtij aktgjykimi ka vlerësuar katër rrethana lehtësuese, si pranimin e fajësisë, faktin se i akuzuari është mbajtës i familjes, ka pasur sjellje korrekte me Gjykatën dhe ka shprehur keqardhje për veprën penale të kryer, njofton Kallxo.





