Profesori amerikan në Universitetin e New York-ut, Alon Ben Meir, ka thënë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, as që duhet të diskutohet pavarësia e Kosovës.Ai e ka cilësuar si shenjë të mirë mbajtjen e takimit mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel, më 15 qershor.Por, sipas tij, në tavolinën e bisedimeve, duhet të negociohet vetëm për pikat që çojnë në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.
“Mendoj se mbajtja e takimit është shenjë e mirë. Andaj, jam i gëzuar që një takim i tillë ka ndodhur. Sidoqoftë është e rëndësishme të dihet konteksti i një takimi të tillë. Ndjesia ime kanë qenë gjithmonë që çdo çështje, çdo çështje konfliktueze mes dy palëve mund të vihet për diskutim në tavolinë, përveç një gjëje:
Pavarësia e Kosovës. Kjo nënkupton se çdo negociatë mund të bëhet, përderisa ato çojnë në njohjen e Kosovës nga Serbia. Kështu e shoh unë. Nëse për këtë çështje nuk vendoset nga fillimi, palët mund të arrijnë progres të caktuar, por ajo nuk do të pasohej me atë çka Kosova do të dëshironte të shihte duke ndodhur.
Prandaj, mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa e kanë bërë mjaft të qartë që qëllimi është njohja e Pavarësisë së Kosovës dhe atëherë Kosova do të ishte e përgatitur të diskutonte çdo çështje mes dy palëve, për të arritur atë objektiv”, ka thënë Ben Meir, në një intervistë për KosovaPress.Tutje, eksperti amerikan, i profilizuar në çështjen e negociatave, tha se kryeministri, Albin Kurti, mund ta hedh përgjegjësinë e dështimit të dialogut mbi Serbinë, nëse kjo e fundit vazhdon të refuzojë Kosovën si shtet.
“Mirë, nëse është ‘kurrë’, atëherë BE duhet ta kuptojë atë shumë qartë. Unë e këshilloj Kurtin që të bëjë gjithçka që është në duart e tij dhe të fokusohet në zhvillimet sociale, politike dhe ekonomike në Kosovë.





