NISMA Socialdemokrate Ka reaguar pasi kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka bërë të ditur se pas diskutimeve të zgjeruara dhe të thelluara brenda Lëvizjes, mandati i dytë për krijimin e qeverisë do t’i besohet Glauk Konjufcës.
Në reagimin e Nismës thuhet se vendi ndodhet në një ngërç të paprecedentë institucional si rezultat i mungesës së vullnetit politik për marrëveshje dhe vendimmarrje të përgjegjshme, dhe si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme për zgjatjen e pushtetit pa shumicë parlamentare dhe pa legjitimitet politik.
“Sot është e qartë për të gjithë: Kuvendi i Kosovës nuk ka shumicë. Në takimin e fundit me Presidenten e Republikës, të gjitha partitë politike e kanë shprehur qartë dhe zyrtarisht qëndrimin e tyre: në këtë Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja. Si e tillë, kjo situatë kërkon veprim të qartë dhe të shpejtë institucional”, vijon reagimi i Nismës.
Tutje, Nisma thotë se presidentja e Republikës ka detyrim kushtetues të respektojë vullnetin e subjekteve politike, vullnet që tashmë është deponuar zyrtarisht.
“NISMA Socialdemokrate fton presidenten të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme. Roli i Presidentes është të garantojë unitetin kushtetues dhe të sigurojë funksionimin demokratik të shtetit, jo ta shtyjë vendin drejt bllokadës”, shkruan në reagim.
