Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, do të mbahet për herë të 25-të në Prizren, nga 7 deri më 15 gusht. Gjatë këtij edicioni do të shfaqen gjithsej 223 filma, përfshirë edhe filmat garues.
Sipas organizatorëve, këtë vit festivali ka pranuar 3 mijë e 687 aplikime nga e gjithë bota, ndërsa 104 filma janë përzgjedhur për të konkurruar në tetë kategori zyrtare. Përzgjedhja garuese përfshin dokumentarë dhe filma të shkurtër që trajtojnë tema aktuale, si dhe një numër premierash botërore.
Tema e edicionit të 25-të është “Persistent Defiance” (Mosbindje e Vazhdueshme), ndërsa slogani “Show up or it doesn’t count!” (Doku sepse duhet!) fokusohet në konfliktet e kohës sonë, krizën klimatike dhe transformimet shoqërore. Sipas DokuFest-it, kjo qasje vazhdon misionin e festivalit për të promovuar shprehjen e lirë dhe diskutimin e ideve edhe në periudha të vështira.
Programi i festivalit do të përfshijë filma nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës. Publiku do të ketë mundësi të ndjekë kategori si Balkan Dox, Balkan Shorts, International Feature Dox, International Short Dox, International Shorts, Human Rights Dox dhe Green Dox, si dhe programe të veçanta të kuruara.
Shfaqjet do të zhvillohen në lokacione të ndryshme të Prizrenit, përfshirë DokuKino, DokuKino Plato, Art’s Theatre, sallat e Teatrit “Bekim Fehmiu” dhe Abi Qarshinë. Ndërkohë, aktivitetet DokuTalks do të mbahen në Shkollën e Muzikës, ndërsa programi DokuKids në shkollën “Lidhja e Prizrenit”.
Në kuadër të festivalit do të zhvillohet edhe programi Spotlight, i dedikuar regjisores britanike Sophie Fiennes, programi i realitetit virtual Doku Immersive, aktivitetet për fëmijë DokuKids, si dhe platforma profesionale Short Film Forum, e cila bashkon kineastë dhe profesionistë të industrisë së filmit nga vende të ndryshme.
Një nga të ftuarit kryesorë të festivalit do të jetë dokumentaristi i njohur botëror Mark Cousins. Ai në Prizren do të prezantojë dy kapituj filmikë nga vepra e tij 16-orëshe “The Story of Documentary Film”, të cilat i kushtohen viteve 1960 dhe 1980.
Programi muzikor DokuNights do të nisë më 12 gusht dhe do të zgjasë katër net, me koncerte që do të mbahen në Andrra Stage, një nga hapësirat e njohura të Prizrenit.
DokuFest do të sjellë edhe këtë vit një program të gjerë filmik e kulturor, duke mbledhur në Prizren kineastë, profesionistë të industrisë dhe publik nga Kosova e vende të ndryshme të botës./kultplus/