Pas pilotimit të Programit të Kuponëve, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se ofron pagesë të plotë për kopsht (kuponë) për përfituesit e Skemës së Asistencës Sociale (SAS) që kanë fëmijë të moshës 3 deri në 5 vjeç. Kuponi ofrohet për të ndjekur kopshte private dhe kopshte publiko-private të licencuara për vitin shkollor 2025/26, pa asnjë kosto për prindërit.
Sipas njoftimit të MAShTI-t, programi do të mbulojë pagesën e kopshtit për të gjithë ciklin e edukimit të fëmijërisë së hershme, si dhe pagesën për transport për fëmijët të cilët nuk janë në gjendje të udhëtojnë, distanca e të cilëve është së paku 4 kilometra larg nga kopshti i përzgjedhur në procedurë të aplikimit.
“Familjet e regjistruara në SAS të cilat banojnë në Prishtinë, Fushë Kosovë, Prizren, Ferizaj, Lipjan, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Vushtrri, Graçanicë, Drenas, Shtime, Suharekë, dhe Klinë ftohen të aplikojnë në Programin e Kuponëve në mënyrë që të përfitojnë nga programi. Pjesëmarrja në Program të Kuponëve nuk do të ndikojë në përfitimet nga Skema e Asistencës Sociale”, thuhet në njoftim.





