Njohësit e sistemit të drejtësisë po konsiderojnë se menaxhimi i rastit Sekiraqa, pas dënimit nga Gjykata e Apelit, ka dështuar. Dhe për këtë, sipas tyre, nuk ka asnjë arsyetim. Policia nuk ka dashur të deklarohet të dielën për rastin, pasi ka thënë se një ditë më herët ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për kapjen e të dënuarit Sekiraqa, i cili ende ndodhet në arrati.
Policia ende nuk e ka gjetur Enver Sekiraqën, të dënuarin me 25 vjet për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza. Të shtunën, policia nuk e kishte gjetur të dënuarin në shtëpi, të cilit i ishte bërë thirrje që të paraqitej në organet e rendit. Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se rasti i Sekiraqës është menaxhuar keq.
“Nëse e shohim se si kanë vepruar organet tjera, pra policia e cila nuk ka arritur ta gjejë të dënuarin në këtë rast, Enver Sekiraqën, është për të të ardhur keq për shkak se me një vendim të apelit do të duhej që menjëherë të merreshin hapat konkret në mënyrë që vendimi I apelti të ekzekutohej. …është vështirë të arsyetohet fakti se si një të akuzuari të cilit I është shqiptuar dënimi me 25 vite burgim nuk I është caktuar paraburgimi por I është hequr edhe ajo masë e cila ka qenë në fuqi, pra ajo e arrestit shtëpiak”, tha për RTK Lavdim Makshana hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.





