Kryeministri Albin Kurti ka thënë se organet e sigurisë janë duke grumbulluar informacionet për rastin ku u vra një polic në Lozicë të Serbisë e ku i dyshuar është një kosovar.
Kurti ka bërë thirrje që të përcillen komunikatat e Policisë dhe institucioneve në lidhje me këtë rast.
“Nuk kam diçka shtesë, mirëpo organet e sigurisë po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur që të përcillni me vëmendje komunikatat e Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme”, ka thënë ai në konferencë për shtyp.
Reagim ka pasur edhe nga Ministria e Jashtme, e cila ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet, duke e quajtur rastin si “incident”. Ministria ka bërë thirrje që mërgimtarët ta shmangin udhëtimin përmes Serbisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në reagim.