Edhe vitin 2024, zyrtarë të Policisë së Kosovës të thirrur për të mbajtur rend e siguri, u hetuan, arrestuan për përfshirje në vrasje, kërcënime, korrupsion e ngacmime seksuale.
Inspektorati Policor i Kosovës vetëm gjatë vitit 2024, arrestoi 19 zyrtarë policorë nën dyshimin se të njëjtit u përfshinë në veprimtari kriminale penale.
Kështu ka bërë të ditur IPK në një përgjigje për KALLXO.com në lidhje me arrestimet që kreu gjatë vitit që lamë pas (2024) ndërsa ka thënë edhe se numri total i arrestimeve është 22, tre nga ta janë qytetarë.
Nga të dhënat prej Departamentit të Hetimeve që është pjesë e Inspektoratit Policor të Kosovës, thuhet se janë përgatitur 83 kallëzime penale brenda vitit 2024 ndërsa 36 raporte të veçanta janë dërguar në prokurori të ndryshme në Kosovë.
Numri i policëve të suspenduar nga detyra për shkaqe të ndryshme është 86 ndërsa 4 policë janë transferuar nga stacione të ndryshme.