Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, me rastin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka thënë se sot kujtojmë me nderim një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që bashkoi shqiptarët në mbrojtje të trojeve, të drejtave dhe identitetit kombëtar.
Ajo shtoi se e themeluar më 10 qershor 1878, si përgjigje ndaj rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare pas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, Lidhja shënoi organizimin e parë politik dhe ushtarak të shqiptarëve për mbrojtjen e interesave kombëtare.
“Nën udhëheqjen e Iljaz Pashë Dibrës dhe me kontributin e figurave si Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e shumë patriotëve të tjerë, u hodhën themelet e lëvizjes moderne kombëtare shqiptare. Lidhja kishte tri synime kryesore: mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare, bashkimin administrativ të trojeve në një vilajet të vetëm dhe afirmimin e shqiptarëve si komb më vete. Veprimtaria e saj politike, diplomatike dhe rezistenca në Plavë, Guci, Hot e Grudë dëshmuan vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur trojet e tyre” – ka shkruar Haxhiu në Facebook.





