Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se në periudhën 16 prill – 12 maj 2026, në Kosovë janë konfirmuar katërmbëdhjetë (14) raste të fruthit.
IKSHPK thotë se sipas komunave: numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Ferizajt pesë (5) raste, Prishtinës tre (3) raste, Kaçanikut tre (3) raste dhe me nga një (1) rast komunat: Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.
“Të gjitha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës) si dhe kanë marrë trajtim spitalor, që dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi”, thuhet në njoftim.
“Duke marrë parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare në komunën përkatëse”, theksohet tutje.
Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të dyshimta në fruth, duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore.
IKSHPK bëri me dije se institucionet shëndetësore janë në mbikëqyrje aktive të situatës epidemiologjike dhe po ndërmarrin masa konkrete në terren, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe vaksinimin mobil në komunitet.