Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se vendimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vendosjen e marzhave maksimale për produktet e naftës, ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë në tregun e lirë dhe cenon parimet e konkurrencës së drejtë.
Përmes një komunikate, OEK ka thënë se çmimet e karburanteve përcaktohen nga një kombinim faktorësh ndërkombëtarë dhe lokalë, duke përfshirë luhatjet e çmimeve në tregjet globale, kostot e transportit, zinxhirët e furnizimit dhe zhvillimet gjeopolitike. Sipas Odës, masa të tilla administrative nuk reflektojnë këto realitete dhe mund të ndikojnë negativisht në furnizimin dhe konkurrencën.





