OJQ “EC Ma Ndryshe” ka bërë të ditur se në shkollën e mesme “Luciano Motroni” në Prizren është realizuar aktiviteti dedikuar promovimit të menaxhimit të qëndrueshëm të mbeturinave dhe rritjes së ndërgjegjësimit mjedisor bazuar në idenë dhe projektin e zhvilluar nga nxënësit e kësaj shkolle.
Sipas njoftimit, në kuadër të këtij aktiviteti, janë vendosur kosha për ndarjen e mbeturinave sipas kategorive të ndryshme, duke synuar të inkurajohen praktikat e riciklimit brenda hapësirave shkollore.
EC Ma Ndryshe thekson se kjo ndërhyrje konkrete synon të ndikojë në ndryshimin e sjelljeve të përditshme të nxënësve, duke i orientuar ata drejt një qasjeje më të përgjegjshme ndaj menaxhimit të mbeturinave.
Siç bëhet e ditur, pëveç kësaj, si pjesë e nismës për gjelbërim, në oborrin e shkollës janë mbjellë fidane bliri, duke kontribuar në përmirësimin e mjedisit dhe në krijimin e një hapësire më të shëndetshme për komunitetin shkollor.
“Ky veprim simbolik dhe praktik njëkohësisht thekson rëndësinë e ruajtjes së natyrës dhe shtimit të sipërfaqeve të gjelbra. Aktiviteti shërbeu gjithashtu si një mundësi edukative praktike për nxënësit, duke i ndihmuar ata të kuptojnë më mirë rëndësinë e biodiversitetit dhe përgjegjësisë ndaj mjedisit. Përmes pjesëmarrjes aktive, nxënësit jo vetëm që fituan njohuri të reja, por edhe u inkurajuan të bëhen faktorë të ndryshimit pozitiv në komunitetin e tyre” – thuhet në njoftim.
Ndryshe, ky aktivitet thuhet se u zhvillua në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Nisma e Tranzicionit të Gjelbër nga të Rinjtë dhe Komuniteti në Kosovën Perëndimore”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe në partneritet me Care International Balkans dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, si dhe me Syrin e Vizionit si bashkë-zbatues.