LAJME

Nxënësit e Parlamentit të ShFMU “Emin Duraku” në Prizren realizuan vizitë edukative në Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit

Nxënësit e Parlamentit të ShFMU “Emin Duraku” në Prizren realizuan vizitë edukative në Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Prill 2026, 12:00

Nxënësit e Parlamentit të ShFMU “Emin Duraku” realizuan një vizitë edukative në Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Prizren, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për sigurinë dhe reagimin në raste emergjente.

Sipas njoftimit të këtij institucioni arsimor, gjatë kësaj vizite, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me punën dhe përkushtimin e zjarrfikësve, pajisjet që ata përdorin si dhe procedurat që ndiqen në rast zjarri apo fatkeqësive të tjera.

Ndërsa, thuhet se zjarrfikësit ofruan shpjegime të detajuara dhe demonstrime praktike, duke e bërë përvojën më të kuptueshme dhe interesante për nxënësit.

“Qëllimi i kësaj vizite ishte edukativ, duke synuar që nxënësit të mësojnë si të parandalojnë rreziqet nga zjarri dhe si të reagojnë në mënyrë të duhur në situata emergjente. Kjo eksperiencë kontribuoi në rritjen e vetëdijes dhe përgjegjësisë së tyre ndaj sigurisë personale dhe asaj kolektive. Takimi u përcoll nga mësimdhënësit Fllanza Kirajtani, Edona Tafallari dhe Selvije Lamaj Kryeziu, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj vizite” – thuhet në njoftim.

Në fund, ShFMU “Emin Duraku” ka shprehur mirënjohje për stafin e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit për mikpritjen e ngrohtë dhe përkushtimin e treguar ndaj nxënësve.

Vizita u vlerësua si shumë e dobishme dhe frytdhënëse, duke i afruar nxënësit më shumë me profesionin e zjarrfikësit dhe rëndësinë e tij në shoqëri.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika