Në prag të ndërrimit të motmoteve, kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka vizituar disa prej institucioneve jetike që kujdesen për sigurinë dhe rendin në vend.
Sipas njoftimit, vizita e tij ka nisur në Kazermën e FSK-së “Skënderbeu”, ku është pritur nga nënkoloneli Basri Topalli. Më pas, Basha ka vazhduar në Stacionin e Policisë në Ferizaj, ku është mirëpritur nga kapiteni Ismet Dervishi.
Kreu i Kuvendit ka qëndruar edhe në Njësitin për Zjarrfikje dhe Shpëtim në Ferizaj, ku ka takuar Drejtorin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Genc Metaj. Vizitat janë përmbyllur në Pikën Kufitare në Han të Elezit, ku Basha është takuar me Drejtorin e Policisë Kufitare në Jug, Rexhep Sijarina, Shefin e Ndërrimit Afrim Halili, si dhe me oficerët doganorë, në krye me Udhëheqësin e Ndërrimit, Faton Piraj.
Gjatë këtyre takimeve, kryetari Basha në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës shprehu respektin, vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë shërbyesit publikë që edhe në orët festive mbeten në krye të detyrës, duke garantuar sigurinë, rendin dhe qetësinë në vendin tonë.
Po ashtu, ai i ka uruar për profesionalizmin dhe kontributin e tyre, duke theksuar se bëhet fjalë për një “kontribut të pazëvendësueshëm për Republikën e Kosovës”, ndërsa u ka uruar Vitin e Ri, “punë të mbarë dhe suksese të shumta”. /Telegrafi

