Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti kanë vizituar të dielën kantierin e ndërtimit në Jahoc të Gjakovës, ku kanë nisur punimet për ndërtimin e kompleksit të parë industrial të municioneve në Kosovë.
Sipas Maqedoncit, kompleksi po ndërtohet në një sipërfaqe prej 19 hektarësh, brenda rreth 140 hektarëve të ndarë nga Qeveria e Kosovës për industrinë e mbrojtjes në Gjakovë, ndërsa pritet të jetë fabrika e parë e kësaj natyre me prodhim “Made in Kosova”.
Ai ka bërë të ditur se, paralelisht me punimet në Kosovë, në Turqi është drejt përfundimit prodhimi i makinerisë prodhuese, laboratorëve dhe pajisjeve tjera teknike.





