Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, thotë se problemet kryesore të punëtorëve janë moszbatim i ligjit të punës, kushtet jo të mira të punës dhe paga minimale e ulët.
Mungesa e kontratave të punës, mosrespektimi i tyre, puna me orar të tejzgjatur, pagat e vogla dhe siguria jo e duhur në punë, janë problemet kryesore me të cilat përballen çdo ditë mijëra punëtorë gjithandej vendit. Se punëtorët ballafaqohen me këto probleme çdo ditë e prej vitesh, e pohon në një prononcim për Radio Kosovën edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, i cili thotë se punëtorët kosovarë 1 Maji po i gjen me shkelje të shumta të të drejtave të tyre.
“Punëtorët 1 Maji po i gjen të diskriminuar. Ende nuk ka asnjë hap pozitiv për realizimin e të drejtave të punëtorëve, sigurinë në punë, por edhe sigurimin shëndetësorë, edhe pse BSPK është angazhuar në maksimum që madje një hap pozitiv të hidhet për të mirën e punëtorëve duke e ngritur pagën minimale apo duke e respektuar marrëveshjen kolektive”, tha ai për televizionin publik.





