Që nga shpallja e rezolutës 1244, në qershor 1999, Rusia është e pranishme në territorin e Kosovës përmes misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), organizatave ndërkombëtare e madje edhe pranisë së përkohshme ushtarake në kuadër të KFOR-it. E më vonë edhe përmes një zyreje ndërlidhëse të saj që u përurua në Prishtinë më 2005, e që mbetet e hapur edhe më tej, pavarësisht faktit se Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Por, megjithë këtë prani, Qeveria e Moskës, vetëm një herë kishte ndihmuar Kosovën, dhe atë një komunitet të saj. Bëhet fjalë për serbët, të cilëve në dhjetorin e vitit 2011, iu sollën ushqime e veshmbathje e materiale higjienike. Veçse konvoji prej 25 kamionësh që ishte nisur pa leje të Qeverisë së Kosovës, u lejua të hyjë vetëm falë ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian.
E si shtet anëtar i Këshillit të Sigurimit që thirret në të drejtën e vetos për ruajtjen e integritetit të Serbisë, asnjëherë nuk ka ofruar ndihmë për Kosovën që e sheh si pjesë të saj. Madje as të tilla të formës emergjente, siç qe kriza e vaksinave, në rastin e pandemisë së koronavirusit.
Klankosova.tv, ka kontaktuar Zyrën Ndërlidhëse Ruse për të marrë një qëndrim dhe detaje për veprimtarinë e saj në Kosovë që nga shpallja e rezolutës 1244. Por, zyrtarë të saj, përmes telefonit i thanë se nuk komentojnë asgjë për këto çështje.
Ndërkohë, Kryqi i Kuq i Kosovës, që është pjesë e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ka konfirmuar se Federata Ruse, nuk ka ofruar asnjëherë ndihmë humanitare përmes ndonjë organizate.
Diçka të tillë nuk ka bërë as përmes zyrës në Kosovë, të koordinatorit për zhvillim të Kombeve të Bashkuara.
”Agjencitë e OKB-së në Kosovë kanë mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera shëndetësore që nga fillimi i pandemisë, si ne fazën emergjente po ashtu edhe në atë të vaksinimit dhe të rimëkëmbjes. Kjo mbështetje ka ardhur fillimisht nga fondet vetanake të OKB-së, dhe ka vazhduar me donatorë të shumtë”, njofton kjo zyrë, derisa konfirmon se “në këtë kontekst, nuk ka pasur fonde/ndihma, të cilat kanë ardhur drejt për drejt nga Federata Ruse për Kosovën, e që janë zbatuar/implementuar nga ndonjë agjenci e OKB-së në Kosovë”.
Kurse zyra e misionit UNMIK-ut, nuk ka specifikuar më detajisht nëse i është ofruar ndonjëherë ndihmë në ndonjë formë, nga Rusia, përveç asaj që Kosova ka pranuar nga sistemi i Kombeve të Bashkuara që nga viti 1999.
”Nëse keni nevojë për informacion të mëtejshëm në lidhje me ndihmën e ofruar nga organizata të tjera ndërkombëtare ose për ndihmën dypalëshe nga vende të veçanta, ju sugjerojmë që t’i drejtoni kërkesat tuaja subjekteve në fjalë”, thonë nga UNMIK.
Deklarativisht, kryeministri kosovar, Albin Kurti pati bërë me dije se nuk do të pranonte ndihma nga Rusia, qofshin ato edhe vaksina. Kjo, derisa kishte refuzuar donacionin e homologut nga Shqipëria, Edi Rama, kur kishte ofruar vaksina nga Kina, një vend tjetër kundërshtues i pavarësisë së Kosovës, dhe anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.