Zëvendësministri I Punëve të Jashtme Bekim Brestovci ishte sot i ftuar në emisionin Frontal me Arsim Lanin në T7.
Brestovci i cili njëherësh është edhe zyrtar i Nismas ka thënë që Fatmir Limaj është një njeri i denjë për president, shkruan Gazeta Express.
Megjithatë sipas tij do të kishte qenë mirë nëse partnerët e koalicionit do të arrinin marrëveshje për një kandidat konsensual për këtë pozitë.
“Nisma natyrisht që e ka pozicionimin e vet dhe gjithmonë do të kontribuoj që problemet të zgjidhen me urti dhe me maturi politike. Natyrisht që e ka dëshmuar gjithherë që ka qenë për unitet dhe në dobi të vendit. Z.Fatmir Limaj është një kandidat shumë i denjë për president të vendit por mendoj që partitë e koalicionit duhet të mblidhen dhe të diskutojmë rreth një kandidati konsensual për president”, ka thënë ai.
Megjithatë Brestovci theksoi se kjo parti nuk thotë që nuk ka vota edhe për të tjerët, siç po deklarohen nga partitë e tjera.
“Natyrisht që Limaj i plotëson të gjitha parakushtet që duhet ti ketë një person për president. Ai është një politikan me përvojë, luftëtar i lirisë, një njeri me figurë unifikuese. Nuk e di nëse në skenën politike ka një politikan që është më unifikues se z.Limaj. Prandsaj mendoj që Limaj është një president shumë i denjë, por ne asnjëherë nuk themi se nuk kemi vota për tjetër kënd pos për z.Limaj”, ka thënë më tutje ai.