Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë t’i dërgojnë të evakuuarit afganë që dështojnë ta tejkalojnë verifikimin fillestar në Kosovë, e cila është pajtuar për t’i strehuar ata deri në një vit, ka thënë një zyrtar i SHBA-së për agjencinë “Associated Press” të shtunën.
Të premten, mediumi “NBC” raportoi se SHBA-ja do të dërgojë drejt Kosovës të paktën dy refugjatë për verifikim të mëtejmë, pas dyshimeve se ata kanë lidhje me talebanët. Tani AP-ja shkruan se plani i SHBA-së për qëndrim më afatgjatë të refugjatëve afganë në shtetet e treta do të nxisë kundërshtime nga grupet për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve. Ata ankohen për mungesën e transparencës dhe pasigurisë ligjore të përdorimit të shteteve transit për t’i verifikuar rreth 120 mijë të evakuuar nga Afganistani.
Zyrtarë tjerë të SHBA-së kanë thënë se presin që të gjithë, apo shumica e afganëve të dyshimtë, t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejme.





