LAJME

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dërguar 80 raste në prokurori gjatë vitit 2025

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dërguar 80 raste në prokurori gjatë vitit 2025
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Maj 2026, 12:26

Cilësia e raportimit financiar në institucionet publike, niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve dhe problemet serioze në menaxhimin e shërbimeve publike janë disa nga gjetjet kryesore të publikuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), të cilat u bënë të ditura gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Performancës dhe rezultateve të planit të auditimit për vitin 2025.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, gjatë një konference për media të mbajtur më 18.05.2026, theksoi se vetëm 37% e rekomandimeve të auditimit janë zbatuar plotësisht, ndërsa pjesa tjetër mbetet në proces ose e pazbatuar.

Sipas ZKA-së, gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 133 auditime, përfshirë auditime financiare, të pajtueshmërisë dhe të performancës.

Tutje, Spanca ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 ka dërguar 80 raste në Prokurorinë e Shtetit, ndërsa ka theksuar mungesën e kthimit të informatave për pjesën më të madhe të rasteve të dërguara ndër vite.

Gjetjet tregojnë se problemi kryesor vazhdon të mbetet raportimi financiar jo i saktë dhe papajtueshmëria ligjore në shumë organizata buxhetore.

Nga 87 auditime financiare, 46 kanë rezultuar me keqdeklarime materiale dhe opinione të modifikuara, ndërsa vetëm 41 kanë marrë opinione të pamodifikuara.

Edhe ndërmarrjet publike mbeten problematike sipas ZKA-së, ku nga 9 auditime, vetëm një ka marrë opinion pozitiv, ndërsa të tjerat kanë rezultuar me mangësi të theksuara në raportim financiar dhe qeverisje.

Në sezonin 2024/2025, ZKA kishte njoftuar se ka dërguar tek Prokurori i Shtetit gjithsej 69 çështje, të evidentuara në 103 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka filluar publikimin e raporteve të auditimit për vitin 2025. Raportet me gjetjet dhe rekomandimet mund t’i gjeni KËTU./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika