Zyra e Rregullatorit për Energji ka thënë se nuk ka hapësirë shqetësimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike aktualisht, duke sqaruar se shqyrtimi tarifor fillon tek në fund të këtij viti dhe zgjat deri më 31 mars 2025.
Nga ZRRE kanë thënë se pritet furnizim i qëndrueshëm me energji elektrike.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është e përkushtuar në informimin e drejtë të opinionit publik, andaj lidhur me lajmet që kanë qarkulluar në portale të ndryshme që kanë të bëjnë me paralajmërimin për shtrenjtim të energjisë elektrike, e njofton opinionin publik se sipas legjislacionit në fuqi, shqyrtimi i të hyrave të lejuara dhe tarifave për ndërmarrjet e rregulluara fillon në fund të vitit 2024 dhe zgjat deri më 31 mars 2025, rrjedhimisht nuk ka hapësirë shqetësimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Andaj, kurdo që vlerësimi i shqyrtimit të procesit tarifor të jetë i gatshëm, opinioni publik do të jetë i njoftuar me kohë.





