Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) pritet të marrë vendim sot për ta rritur çmimin e rrymës deri në 16 për qind gjatë një mbledhjeje që është duke e mbajtur në këto momente, mëson Radio Evropa e Lirë nga burime të brendshme.
Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka thënë gjatë mbledhjes së Bordit se kanë shqyrtuar ankesat dhe kanë analizuar shkaktarët e rritjes së kostos së shërbimit.
“Në detaje i kemi analizuar shkaktarët kryesore që kanë të bëjnë me rritjen e kostos shërbimit. I kemi 4 shkaktarë që kanë ndikuar, ndryshimet në kostot e blerjeve të energjisë nga furnizuesi me shërbim universal, ndryshimet në kostot e blerjes të energjisë nga operatori i sistemit të shpërndarjes, parashikimi i çmimeve të energjisë dhe importeve për 2025 dhe parashikimi për koston e shërbimeve ndihmëse për operatorin e sistemit të transmetimit. Në vlerësimet e 2025 është parashikuar edhe import pasi njësitë gjeneruese janë në planifikim të mirëmbajtjes”, ka thënë ai.