Zyrtarisht, nga 1 maji konsumatorët në kuadër të furnizuesit të Shërbimit Universal – KESCO do të faturohen me tarifa më të larta për 16.1%.
Zyra e Rregullatorit për Energji formalizoi vendimin për shtrenjtimin e rrymës në mbledhjen e Bordit, mëngjesin e së mërkurës.
Nga muaji i ardhshëm, tarifa ditore në bllokun e konsumit mujor deri në 800 kilovatë orë, ngritet nga 7.79 në 9.05 centë për kilovat, ndërsa ajo e natës nga 3.34 në 3.88 centë.
Ndërkaq, në bllokun e konsumit mujor mbi 800 kilovatë orë, tarifa ditore ngritet nga 13.29 në 15.43 centë për kilovat dhe ajo e natës nga 6.27 në 7.28 centë.
“Lus bordin që ta shqyrtojë dhe miratojë tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë furnizim dhe shërbimi universal që të furnizohen që nga data 1 maj 2025 me rritje lineare prej 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve”, ka theksuar Muharrem Gashi, Udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRRE.
Ngritja e tarifave është lineare, për të gjitha konsumatorët në kuadër të Shërbimit Universal, si dhe të dyja blloqet e konsumit mujor, nën dhe mbi 800 kilovatë orë.
“Gjithë konsumatorët që kanë të drejtë të furnizohen me tarifa me shërbim universal janë konsumatorët shtëpiakë ose familjarë dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë dhe më pak se 50 punëtorë. Pra, janë këto dy kategori që kanë të drejtë të furnizohen përmes furnizuesit me obligim të shërbimit universal KESCO për periudhën tarifore 1 maj deri më 31 mars të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së.
Ngritja e tarifave ndodhi përkundër se nga 1 Qershori më shumë se 1000 biznese do të largohen nga Shërbimi Universal dhe do të detyrohen të blejnë energji në tregun e hapur, e po ashtu përkundër protestave e kërkesave për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.
Krahas njoftimit për vazhdimin e protestave, iniciativa “Asnjë cent më shumë” ka paralajmëruar atakimin në gjykatë të vendimit të Rregullatorit për ngritjen e tarifave – duke kërkuar vendosjen e masës së sigurisë.
“Pas konstituimit të kuvendit, nëse nuk shkarkohet Bordi i ZRRE-së, nuk zgjidhet Bord i ri dhe nuk anulohet vendimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, qytetaret duhet të ua bëjnë të pamundur deputetëve hyrjen në kuvend. Kontinjerat e mbeturinave duhet të jenë vend akomodimi dhe transporti për deputetet qe pengojnë shkarkimin, zgjedhjen e Bordit të ri dhe anulimin e vendimit”, shkroi Ali Sefaj, një nga kryesuesit e iniciativës.