Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se çdo konsumator i prekur nga devijimet e mundshme të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike do të kompensohet plotësisht, sipas dispozitave në fuqi.
Përmes një komunikate publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ZRRE-ja ka deklaruar se në rastet e paraqitura nga konsumatorët lidhur me këtë devijim, ka ndërmarrë të gjitha veprimet sipas legjislacionit, duke kërkuar zëvendësimin e atyre njehsorëve elektrikë, si dhe marrjen e masave konkrete për korrigjimin financiar në përputhje me vlerësimet e teknike. Tutje ZRRE-ja ka deklaruar se në shumicën e rasteve të dërguara për verifikim është konstatuar se matja e energjisë ka qenë e saktë, ndërsa pasaktësitë kanë qenë kryesisht të natyrës së devijimit të kohës tarifore.
“Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve, korrigjimet financiare nuk kanë rezultuar në favor të konsumatorëve, por pavarësisht kësaj çdo rast do të trajtohet me seriozitet” – thuhet në njoftim.
Sipas ZRRE-së, KEDS-i dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe operojnë në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi dhe se të hyrat e tyre përcaktohen nga ZRRE-ja, gjë që sipas këtij rregullatori, e kufizon mundësinë për të përfituar nga gabimet eventuale në matjen e energjisë elektrike.
“Gabimet eventuale nëse ndodhin mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre dhe çdo konsumator i prekur do të kompensohet plotësisht, në përputhje me dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi. Moszbatimi i këtyre detyrimeve nga operatorët do të trajtohet sipas kornizës përkatëse ligjore” – thuhet tutje në njoftim.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka gjobitur KEDS-in me 6 mijë euro, pasi ka konstatuar se nuk ka respektuar afatin e vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë. Ministria e Tregtisë nuk ka treguar shkallën e gjobës, por në një njoftim është theksuar se për një njehsor gjobat e shqiptuara janë nga 1 mijë e 500 euro deri në 5 mijë euro.