Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) sqaron edhe një herë opinionin publik se KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë paraqitur kërkesat për përshtatjen e të Hyrave të Lejuara për vitin 2025, të cilat janë dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), në përputhje me kërkesat ligjore. Aplikimet janë publikuar në faqen elektronike të ZRRE-së, ashtu siç janë pranuar dhe mund të konsultohen nga publiku.
Përgjigja e ZRRE-së ndaj këtyre aplikimeve do të bazohet në një vlerësim të detajuar të dokumenteve të dorëzuara. Pas përfundimit të vlerësimit, ZRRE do të hartojë dhe publikojë një raport për konsultim publik, ku do të përfshihen analizat dhe rekomandimet përkatëse. Ky raport do të jetë i disponueshëm për konsultim për një periudhë dy-javore, gjatë së cilës qytetarët dhe palët e interesuara mund të shprehin komentet dhe sugjerimet e tyre.
Pas shqyrtimit të komenteve dhe sugjerimeve të marra gjatë periudhës së konsultimit, ZRRE do të propozojë një vlerësim përfundimtar, i cili do të dorëzohet për miratim në Bordin e ZRRE-së. Ky proces është projektuar për të siguruar transparencë të plotë dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e publikut dhe akterëve të tjerë të interesuar në këtë proces të rëndësishëm.
Deri në publikimin e raportit për konsultim publik, ZRRE nuk mund të japë asnjë qëndrim për mundësinë e ndryshimeve të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025. Çdo spekulim lidhur me rritjen e tarifave, para se të publikohet raporti i ZRRE-së për konsultim publik, është i pavërtetë, i paargumentuar dhe nuk duhet të merret parasysh.
Ftohen të gjithë qytetarët dhe palët e interesuara që të ndjekin raportet dhe informacionet e publikuara nga ZRRE dhe të kontribuojnë me komentet e tyre gjatë periudhës së konsultimit publik. Kjo është një mundësi për të siguruar që çdo ndryshim në strukturën e tarifave të energjisë të jetë i bazuar në një analizë të thellë dhe të marrë parasysh interesat e të gjithë konsumatorëve.