Pas aktgjykimit të shpallur ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka njoftuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të vazhdojë hetimet dhe ndjekjet penale ndaj të gjitha rasteve të pengimit të drejtësisë.
Përmes një komunikate, West ka mirëpritur aktgjykimin dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata Speciale, duke thënë se vendimi dërgon mesazh se askush nuk është mbi përgjegjësinë ligjore, pavarësisht pozitës apo statusit të tij.
“E mirëpres aktgjykimin dhe dënimet e sotme të cilat japin një mesazh të qartë: ata që përpiqen të sabotojnë sundimin e ligjit, të zbulojnë materiale sekrete të gjykatës apo të ndërhyjnë tek dëshmitarët, do të vihen para përgjegjësisë pavarësisht statusit apo postit të tyre”, ka deklaruar West.





