Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzanë ka mbajtur një konferencë për media ku ka prezantuar zotimin e katërt të programit të tij qeverisës e që është arsimi, raporton Ekonomia Online.
I pari i PDK-së, Hamza tha se arsimi është investimi më i rëndësishëm që mund ta bëjë një shtet.
“Arsim cilësor, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë. Arsimi është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjë një shtet. Ai përcakton jo vetëm të ardhmen e individit, por edhe zhvillimin ekonomik, social e demokratik të vendit. Një sistem arsimor cilësor aftëson qytetarët, ndërton ekonomi konkurruese dhe institucione të qëndrueshme. Prandaj, qeveria e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës do ta trajtojë arsimin si prioritet kombëtar. Sot sistemi ynë arsimor përballet me shumë sfida serioze: cilësi të pabarabartë në mësimdhënie, mungesë të infrastrukturës moderne, mospërputhje me nevojat e tregut të punës dhe mbështetje të pamjaftueshme për mësimdhënësit dhe studentët”, tha Hamza.





