LAJME

Zotëria i Parë nis aktivitetet në kuadër të Samitit Inaugurues të Koalicionit “Fostering the Future Together” në ShBA

Zotëria i Parë nis aktivitetet në kuadër të Samitit Inaugurues të Koalicionit “Fostering the Future Together” në ShBA
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Mars 2026, 08:18

Me ftesë të Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, nisi të martën aktivitetet e tij në kuadër të Samitit inaugurues të Koalicionit “Fostering the Future Together”, i cili po mbahet në Washington D.C. Sipas Presidencës, qëllimi kryesor i këtij samiti dyditor është mbrojtja e mirëqenies së fëmijëve nëpërmjet edukimit, inovacionit dhe teknologjisë.

“Takimet fillestare të samitit u zhvilluan në Departamentin Amerikan të Shtetit, ndërsa takimi i nivelit të lartë, ku do të marrin pjesë 45 Zonja dhe Zotërinj të Parë nga anembanë bota, do të mbahet sot në Shtëpinë e Bardhë. Kosova është nderuar që të jetë ndër 45 shtetet e përzgjedhura nga Shtëpia e Bardhë për të marrë pjesë në këtë Samit” – thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur, gjatë takimeve në Departamentin Amerikan të Shtetit, Zotëria i Parë Sadriu u takua me zv. Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Christopher Landau, bashkëbisedoi me homologë nga shtete pjesëmarrëse, si dhe me përfaqësues të kompanive lider të teknologjisë që janë pjesë e këtij koalicioni global, përfshirë OpenAI, Microsoft, Google, Meta, xAI, Palantir, Adobe dhe Zoom Communications.

“Në bashkëbisedime me kompanitë globale të teknologjisë, u diskutua se si Kosova do të përfitojë nga shërbimet dhe plaformat që ato ofrojnë për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë. Në këto takime, ai prezantoi potencialin e Kosovës dhe përkushtimin e Presidentes Vjosa Osmani dhe të vendit tonë për të ndërtuar një të ardhme digjitale që fuqizon të rinjtë dhe mbron fëmijët në hapësirën online” – njofton Presidenca.

Tutje, Presidenca thekson se me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kosova iu bashkua kësaj nisme ndër shtetet e para në botë, duke dëshmuar përkushtimin për të siguruar që fëmijët dhe të rinjtë të përfitojnë nga mundësitë që ofron epoka digjitale, duke vendosur gjithnjë në fokus mbrojtjen dhe mirëqenien e tyre, thuhet në njoftim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika