Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se zjarri në fshatin Sallagrazhdë dyshohet se u shkaktua nga faktori njeri.
“Diku në ora 19:30 ka filluar një zjarr mjaft i madh mbi fshatin Sallagrazhdë, ku po duket se faktori njeri është kryesor për ndezjen e tij. Këtu jemi bashkë me Policinë e Kosovës dhe zjarrfikësit, derisa falënderoj edhe shumë qytetarë që kanë ardhur. Pjesa më e madhe është shuar, derisa zjarrfikësit janë duke punuar akoma. Ka një thatësi të madhe dhe besoj se edhe këtë vit do të përballemi me zjarre të mëdha në komunën e Suharekës”, shtoi Muharremaj në Klan Kosova.
Ai ka thënë se dyshon se zjarri është shkaktuar nga faktori njeri, për shkak se tash, në muajin mars, nuk ka temperatura të larta që mund të shkaktojnë zjarre.





