LAJME

Zjarri në Muzeun e Muzikës në Gjakovë, reagon EC Ma Ndryshe

Zjarri në Muzeun e Muzikës në Gjakovë, reagon EC Ma Ndryshe
TV Prizreni
TV Prizreni
31 Gusht 2023, 10:56

Ndërtesa e Muzeut të Muzikës në Gjakovë të mërkurën mbrëma është kapluar nga zjarri.

Sipas Policisë në Gjakovë, hetimet për zjarrin në monumentin e mbrojtur me ligj kanë nisur menjëherë. E shkatërrimi i qëllimshëm i trashëgimisë kulturore është vepër penale.

Për këtë, sot ka reaguar dhe organizata EC Ma Ndryshe duke e konsideruar si jo të duhur trajtimin e muzeut nga ana e institucionit.

Po ashtu nga EC Ma Ndryshe, kërkohet angazhim më i madh për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Postimi i plotë:

Shkatërrimi nga zjarri i Muzeut të Muzikës në Gjakovë e njohur edhe si “Tabhane” është ngjarje e rëndë, që minon përpjekjet për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Mos trajtimi i duhur nga ana e institucioneve ka bërë që ky objekt kohë më parë të vandalizohej e dëmtohej për të arritur deri në pikën e shkatërrimit total nga zjarri.

EC Ma Ndryshe përkujton se rastet e zjarreve në monumente të mbrojtura janë praktika të para edhe më parë në qytetet e Kosovës dhe konsideron se nevojitet një angazhim i shtuar i institucioneve përgjegjëse për parandalimin e rasteve të kësaj natyre.

Duke shprehur indinjatën për shkatërrimin e Muzeut të Muzikës në Gjakovë, EC i bën thirrje institucioneve ligjzbatuese që ta hetojnë rastin deri në zbardhjen e plotë të tij, dhe të veprojnë me forcën e ligjit. Gjithashtu i bën thirrje autoriteteve lokale dhe atyre qendrore që të ndërmarrin veprime për rikonstruimin dhe funksionalizimin e plotë të Muzeut të Muzikës në Gjakovë, në mënyrë që të përçohet mesazhi se përpjekjet për shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore nuk do të jenë të suksesshme.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika