Zjarri që ka përfshirë territorin e Gorno Lubinjës, në Zhupë të Prizrenit, është ende aktiv dhe vazhdon të paraqesë rrezik për përhapje.
Drejtori i Drejtorisë për Situata Emergjente dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, Sead Arifi, ka njoftuar se në terren janë angazhuar Njësia e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, punëtorët e Parkut Kombëtar “Sharri”, banorët e Gorno Lubinjës, Policia e Kosovës dhe pjesëtarë të KFOR-it.
Sipas Arifit, të gjitha ekipet po veprojnë në mënyrë të koordinuar për shuarjen dhe lokalizimin e zjarrit.
Ai u ka bërë apel të veçantë banorëve të Gorno Lubinjës që të mos afrohen pranë zonës së përfshirë nga zjarri dhe të respektojnë udhëzimet e shërbimeve kompetente.
Arifi ka kërkuar gjithashtu që banorët të jenë të gatshëm të veprojnë sipas çdo udhëzimi apo urdhri eventual të institucioneve dhe të raportojnë menjëherë çdo ndryshim të situatës.
Në njoftim rikujtohet se shkaktimi i qëllimshëm i zjarreve në hapësira të hapura dënohet sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.
“Zjarri është ende aktiv – kujdesi është i domosdoshëm”, ka apeluar Arifi.