Pas rënies së ziles çdo aktivitet tjetër, përfshirë gjumin e ushqimin, bie poshtë, sepse detyra i thërret.
Behar Shala, zëvendës i udhëheqësit të ndërresës, e përshkruan një ndërresë 11-orëshe të ditës në të cilën zjarrfikësit janë të angazhuar me punë.
Një pjesë të mirë të ditës zjarrfikësit e kalojnë në objektin e Brigadës, mirëpo telashet po hasin me lagështinë po ua vështirësojnë punën.
Sipas Shalës, më të lehtë do ta kishin edhe po të shtohej numri i punëtorëve, sepse ai thotë që zjarrfikësve të tanishëm u kanë kaluar shumë vjet, e ndihen edhe më të lodhur.
Herë pas here zjarrfikësit furnizohen me veshje, mirëpo, sipas zëvendësit, kualiteti i dobët i tyre dallon nga mostrat që u vijnë.
“Harrojmë që kemi familjen tonë, harrojmë që kemi jetën tonë”, kështu shprehet Shala krahas kërkesës që ua drejton institucioneve, që të jenë më vigjilentë për nevojat e tyre.
Për gjendjen e punën e zjarrfikësve kohët e fundit tregon edhe komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Latif Zeka.
Ai thotë se zjarrfikësit e kanë dëshmuar punën e pandërprerë e gatishmërinë në çdo nevojë.
Shqetësimin e Shalës për mungesën e punëtorëve e mbështet edhe komandanti. Ai thotë se pavarësisht kërkesës për hapje të konkursit, nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.
E edhe njëri nga dy objektet që u ndërtuan ekskluzivisht për Shoqatën e Zjarrfikësve u nda për “Hortikulturën”, e sipas Zekës, kjo po u paraqet problem.
Brigada e Zjarrfikësve ka vetëm dy qendra në Prishtinë, ndërkohë që mbulon katër komuna si: Prishtinën, Fushë-Kosovën, Obiliqin dhe Graçanicën, andaj Zeka vë në theks nevojën për shtim të stafit.