Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zgjeruar hetimet në rastin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë, hetimet janë zgjeruar ndaj 21 personave të tjerë, punëtorë të BKS-së, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”.
Me këtë zgjerim, numri i përgjithshëm i personave të dyshuar në këtë rast ka arritur në 69.
Prokuroria thotë se, bazuar në veprimet e deritanishme hetimore, ekziston dyshimi se të pandehurit, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të parave pa mbulesë, në vlera prej 2 mijë deri në 53 mijë euro për person.
Sipas Prokurorisë, këto veprime dyshohet se i kanë shkaktuar BKS-së një dëm shtesë prej rreth 200 mijë euro.
Personat e dyshuar janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me përfaqësues të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Paralelisht me hetimin penal, Prokuroria ka zhvilluar edhe hetim financiar në bashkëpunim me Njësitin e Hetimeve të Integruara Financiare të Policisë së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe sigurimit të pasurisë që dyshohet se lidhet me veprat penale dhe përfitimet e dyshuara.
Si rezultat i këtyre veprimeve, janë sekuestruar dhe ngrirë 35 prona, përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe garazhe. Sipas Prokurorisë, këto prona lidhen me tre të dyshuar kryesorë.
Po ashtu, gjatë së njëjtës ditë është urdhëruar ngrirja e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar.
Në fazën fillestare të hetimit, dëmi ndaj BKS-së ishte vlerësuar në rreth 1 milion e 43 mijë euro, ndërsa me zgjerimin e hetimeve dhe identifikimin e veprimeve të reja të dyshuara, është evidentuar edhe një dëm shtesë prej rreth 200 mijë euro.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale të personave të përfshirë.
Institucionet e drejtësisë kanë theksuar se gjatë gjithë procedurës do të respektohen të drejtat e të pandehurve dhe parimi i prezumimit të pafajësisë.