Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po bënë maksimumin për të shmangur zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme në kohën kur duhet zgjedhur presidenti i ri i vendit.
Pas mbledhjes së Qeverisë, ai tha se zgjedhjet e reja janë harxhim shtesë dhe nuk do të ndryshojnë rezultatin.
“Ajo çfarë po bënë Lëvizja Vetëvendosje është maksimumi që të shmangen zgjedhjet dhe njësoj do të vazhdohet deri në ditën e fundit, me propozime e takime. Ne besojmë që zgjedhjet nuk ndryshojnë rezultatin dhe janë harxhime shtesë. Pse të shkohet në gjithë këtë rrugëtim të panevojshëm?”- tha Vitia.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, e cila ishte bashkë me Vitinë në konferencë, tha se kostoja e shkuarjes në zgjedhje është e lartë dhe rëndon në kurriz të qytetarëve.
Kusari-Lila tha se hapësira për konsensus me partitë opozitare po ngushtohet, “për shkak të sjelljes së liderëve të opozitës”.
“Pas largimit nga salla e Kuvendit të Kosovës, dje, të partisë më të madhe opozitare dhe qasja e drejtuesit tjetër opozitar me mosvotimin e disa marrëveshjeve, disi nuk po e lënë përshtypjen e një hapësire dhe diskursi për bashkëpunim. Hapësira për konsensus po ngushtohet. Do të ketë dhe kërkesa për takime formale por disi po dekurajohemi kur për tema siç ishin ato, ata nuk qëndruan në sallë”- tha ajo.
Afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit po kalon, ndërsa presidentes Vjosa Osmani i kanë mbetur vetëm edhe dy ditë mandat në krye të shtetit.
Megjithatë, takimet e paralajmëruara nga kryeministri Albin Kurti, për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, ende nuk kanë ndodhur.
Para publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses, Kurti pati deklaruar se ftesat për krerët e opozitës do t’i dërgonte qysh më 13 mars 2026, por kjo nuk ndodhi, as pas dy javësh nga ajo kohë.
Me aktgjykimin e shpallur nga Kushtetuesja, më 25.03.2026, u përcaktua afati prej 34 ditësh për zgjedhjen e Presidentit, konkretisht deri më 28 prill.
Nëse Presidenti nuk arrin të zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
LVV ka propozuar Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kolçakun si kandidatë për president./Kallxo.com