Vendimi i MASHTI-t për zëvendësimin orëve të humbura gjatë grevës së SBASHK-ut, ka shkaktuar pakënaqësi te sindikata e po ashtu edhe të Këshilli i Prindërve, të cilët po kundërshtojnë një gjë të tillë.
Këta të fundit kanë reaguar sërish duke thënë se janë kundër mbajtjes së procesit mësimor gjatë të shtunave.
Përmes një reagimi në Facebook, Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë se për këtë çështje duhet të ketë pajtueshmëri nga të gjitha palët e përfshira.
“Politikbërësit e arsimit në Kosovë po gjykojnë që gjashtë ditë rresht mësim janë të mundshme e nuk ka rëndësi a janë dakord për këtë fëmija e prindërit por edhe mësimdhënësit…Pa dakordësi e pajtueshmëri të argumentuar ne do të vazhdojmë së bëri lëvizje të çrregullta, me efekte shumëanshmërisht penguese, pa perspektivë shpresëdhënëse se arsimi publik në këtë vend mund (e do) të dalë nga prapambeturia, jo koherenca e pa dobishmëria.”, thuhet në reagim.
Ndryshe, SBASHK-u ka theksuar se MASHTI që në fillim të javës që po vjen duhet të mbajë takim urgjent me përfaqësues të Asociacionit të Komunave, të kolegjiumit të drejtorive komunale të arsimit, të Këshillit të Prindërve dhe SBASHK-ut për të bërë përpjekje të përbashkëta dhe për të arritur marrëveshje të pranueshme lidhur me orët e humbura në grevë,
MASHTI ka bërë thirrje për kompensimin e orëve të humbura gjatë të shtunave, ndërkaq kundër kanë dalë edhe Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK).
Ndryshe, greva në tërë sektorin e arsimit kishte filluar më 25 gusht dhe është pezulluar më 1 tetor. Kërkesa kryesore e tyre ishte shtesa nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Greva u pezullua deri në janar të vitit të ardhshëm dhe kjo u bë pa marrëveshje me Qeverinë. /Telegrafi/